Secondary Adv

Ngrihet Bordi i Transparencës, brenda javës cakton fitimin e kompanive dhe çmimin tavan

Qeveria vendos kontroll të drejtpërdrejtë mbi çmimet e karburanteve, duke rikthyer Bordin e Transparencës për të përcaktuar çmimin tavan dhe fitimin e kompanive.

Çmimet “ngrinë” në tregun vendas

Gjatë pesë ditëve të fundit, çmimi i naftës në Shqipëri ka mbetur i pandryshuar, duke u tregtuar kryesisht në 214 lekë për litër dhe deri në 217 lekë në disa pika. Kjo ndodh pavarësisht luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës arriti deri në 117 dollarë për fuçi dhe më pas ra në rreth 100 dollarë.

 

Vendimi për Bordin e Transparencës

Qeveria ka vendosur zyrtarisht ngritjen e Bordit të Transparencës, i cili do të përcaktojë çmimet e naftës, benzinës dhe gazit në vend. Vendimi i datës 19 mars, i firmosur nga kryeministri Edi Rama, parashikon që çmimet e vendosura nga bordi të jenë të detyrueshme për të gjithë operatorët në treg.

 

Anëtarët e bordit pritet të caktohen më 24 mars, ndërsa kompanitë dhe institucionet kanë afat deri në këtë datë për të paraqitur përfaqësuesit e tyre.

 

Fitimi i kompanive dhe çmimi tavan

Bordi do të përcaktojë çmimet duke marrë në konsideratë bursën ndërkombëtare, çmimin në zhdoganim, kostot e transportit dhe marzhet e fitimit. Sipas formulës, fitimi do të jetë i kufizuar në 3 lekë për litër për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për litër për shitjen me pakicë.

 

Subjektet që nuk respektojnë çmimet e vendosura do të përballen me masa ndëshkuese, që variojnë nga gjobat deri në pezullimin e licencës.

 

Masat shtesë për stabilizimin e tregut

Vendimi i qeverisë për shpalljen e gjendjes së veçantë në tregun e hidrokarbureve është pa afat dhe shoqërohet me masa të tjera mbështetëse. Një ndër to është ulja me 20% e akcizës në rast se çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër, duke e zbritur atë nga rreth 38.8 lekë në 31 lekë për litër.

 

Paralelisht, do të vijojë funksionimi i task-forcës për kontrollin e sektorit, me fokus parandalimin e abuzimeve dhe evazionit, si dhe monitorimin e përditshëm të çmimeve në treg.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat